1 Corinthians 12
1 Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të shenjtë, nuk dua të jeni të paditur.
2 Ju e dini se, kur ishit prej kombeve, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë.
3 Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu», nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i shenjtë.
4 Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt.
5 Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot.
6 Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë.
7 Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve.
8 Dikujt Shpirti i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i jep dhuntinë për të folur me dituri.
9 Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar,
10 dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve.
11 Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij.
12 Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti.
13 Edhe ne, qofshim judenj apo helenë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt për t'u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt.
14 Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë.
15 Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit?
16 E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit?
17 Nëse i gjithë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja?
18 Por Perëndia i vuri gjymtyrët në trup një nga një, ashtu siç deshi.
19 Nëse të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
20 Por tani ka shumë gjymtyrë dhe një trup.
21 Syri nuk mund t'i thotë dorës: «Nuk ta kam nevojën» e as koka nuk mund t'u thotë këmbëve: «Nuk jua kam nevojën».
22 Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të papërfillshmet, janë më të nevojshmet.
23 Ne kujdesemi më shumë për gjymtyrët që i vlerësojmë më pak dhe përpiqemi t'i zbukurojmë sa më shumë gjymtyrët më të pahijshme,
24 gjë që nuk e kanë të nevojshme gjymtyrët e hijshme. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke u dhënë më shumë nderim gjymtyrëve më të papërfillshme,
25 që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët të kujdesen për njëra-tjetrën.
26 Nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të. Nëse njëra gjymtyrë nderohet, të gjitha gëzohen me të.
27 Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij.
28 Prandaj Perëndia i caktoi disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata me dhuntitë për të bërë mrekulli, të shërimeve, të përkujdesjes, të drejtimit e të larmive të gjuhëve.
29 A mos janë të gjithë apostuj, apo mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues, apo mos kanë të gjithë dhuntinë për të bërë mrekulli?
30 A mos kanë të gjithë dhuntinë e shërimeve, apo mos flasin të gjithë shumë gjuhë? A mos janë të gjithë shpjegues gjuhësh?
31 Por kërkoni me zell dhuntitë më të larta. Unë po ju tregoj udhën më të lartë.